Kodi i Etikës

PËRMBAJTJA

 

1- STANDARDET PROFESIONALE

1.1 Saktësia

Lajmi i transmetuar duhet të pasqyrojë faktet dhe nuk mund të jetë lajm mashtrues apo i pavërtetë. Gazetari është i detyruar t’i mbledhë informacionet me shumë kujdes, t’i verifikojë ato dhe t’u kushtojë kujdesin përkatës për t’i prezentuar në variantin letrar të gjuhës shqipe apo të gjuhës së minoriteteve vendore. Raportimi për problemet aktuale, që prezanton persona të vërtetë, duhet t’u shmanget teknikave të realitetit virtual, përpos në rastet kur kjo është në dobi të lajmit dhe të mbrojtjes së të drejtave personale.

1.2 Paanshmëria

Paanshmëria është vlerë themelore e GazetaOpinion.com , i cili duke qenë transmetues shumë i rregullt, ka për mision informimin objektiv të publikut. Lajmet e emetuara për auditorin, nuk duhet të jenë të pavërteta. Raportimi duhet të jetë i qetë, i gjerë dhe mirë i informuar. Faktet dhe pikëpamjet duhet të transmetohen dhe prezantohen në mënyrë të balancuar dhe raportimi duhet të marrë parasysh të gjithë personat, institucionet, çështjet dhe ndodhitë, në mënyrë të paanshme dhe etike.

Paanshmëria e bazuar në fakte nuk mund të sigurohet me një balancim të thjeshtë matematikor, që peshon pikëpamjet e njërit ndaj pikëpamjeve të kundërta të tjetrit, por me anë të një prezentimi të plotë të rrethanave, që u japin përparësi këtyre pikëpamjeve.

Raportimi duhet t’i shmanget çdo gjëje që do të shkaktonte dyshim të arsyeshëm lidhur me paanshmërinë e gazetarit apo të transmetuesit publik, apo ndaj raportimit që do të mund të krijonte idenë se gazetari apo transmetuesi janë nën ndikimin e ndonjë grupi të caktuar, qoftë ai natyrës ideologjike, politike, financiare, sociale, religjioze apo kulturore.

Kërkesa për paanshmëri nuk mund të barazohet gjithmonë me neutralitet të plotë për secilën pjesë të lajmit. Raportuesi duhet të shprehë vlerësimin profesional dhe gazetaresk bazuar në fakte përkatëse, por jo edhe mendimin personal të krijuar si rrjedhojë e pikëpamjeve të njëanshme në çështje të caktuara.

Asnjë pjesetar i stafit nuk mund të fshehë apo të shpërfillë informacionin, me të cilin ata nuk pajtohen personalisht.

1.3 Verifikimi i fakteve

Gazetarët dhe redaktorët e FFM Group duhet të respektojnë rregullin themelor profesional, sipas së cilit të gjitha faktet duhet të verifikohen para se të transmetohen. Nëse verifikimi nuk është i mundur, burimi duhet të përmendet. Nëse burimi është i njohur dhe i besueshëm për redaktorët por ata nuk duan ta zbulojnë burimin, atëherë mund të përdoren fraza të caktuara përshkruese, siç janë: “nga burime të besueshme”, “prej burimeve të verifikuara”, “nga burime të mirëinformuara”, “nga burime diplomatike”, “nga burime të afërta me…”,  etj. Lajmet e GazetaOpinion.com, si rregull, i shmangen përdorimit të frazave të tilla si: “është thënë”, “fjala është për”, “kemi dëgjuar”, etj.

Vëmendje e veçantë kërkohet me rastin e përdorimit të burimeve të paautorizuara nga Interneti, pasi ky rrjet mbarëbotëror mundëson hyrjen e pakufizuar dhe jokritike të shfrytëzimit të të dhënave nga këto burime dhe mund të shpie në dhënien e informacionit të gabuar. Para emetimit të materialit të paautorizuar nga Interneti, duhet të verifikohen të gjitha faktet. Nëse është shfrytëzuar një burim i paautorizuar nga Interneti, kjo duhet të tregohet qartë.

1.4 Besueshmëria

Në shoqërinë demokratike besueshmëria është një nga vlerat themelore të transmetimit publik. Gazetarët dhe të gjithë prodhuesit e lajmeve të GazetaOpinion.com, duhet të jenë të pavarur në punën e tyre dhe duhet të ruajnë autonominë e profesionit të gazetarit dhe të të gjitha profesioneve të tjera që ndihmojnë në krijimin e imazhit të progameve të radios dhe të televizionit.

Programet e lajmeve duhet të ofrojnë shpjegime përkatëse të ngjarjeve dhe çështjeve që i mundësojnë auditorit të radios dhe televizionit të krijojnë përshtypjet e veta.

Besueshmëria kërkon që secili që kontribuon në lajmet e GazetaOpinion.com , t’i shmanget shprehjes së përkrahjes publike të çfarëdo veprimi të ndërmarrë nga partitë politike apo nga shoqatat, grupet shoqërore dhe grupet lobiste. Menaxhmenti po ashtu, në parim nuk do të lejojë që marrëdhëniet familjare të stafit të GazetaOpinion.com të ndikojnë në lajmet e përcjella nga GazetaOpinion.com (marrëdhëniet grua – burrë, vëlla – motër, prind – fëmijë, etj). Nëse është e domosdoshme redaktorët e GazetaOpinion.com do të ndërmarin masat e nevojshme që të parandalojnë paraqitjen e familjarizmit apo raportimit të njënashëm politik, të bazuar në lidhjet familjare, sidomos në emisionet informative.

1.5 Përgjegjësia

Qëllimi kryesor i mbledhjes dhe emetimit të lajmeve është që të sigurojë një shikueshmeri sa më të gjerë të mundshme dhe t’u mundësojë shikuesve të krijojnë një opinion për një çështje të caktuar.

Gazetarët dhe redaktorët që keqpërdorin pozitën e tyre për të përhapur lajme të rreme apo të kurdisura duhet të ndalohen.

Përgjegjësia gjithashtu përfshin edhe ndjeshmërinë dhe mbajtjen e një distance të caktuar ndaj materialeve që përhapen nga agjencitë dhe mediat private, të cilat, për qëllime përfitimi financiar, mund të krijojnë imazh dhe reputacion për personalitete të veçanta, pavarësisht nga faktet.

1.6 Ndërhyrja e publikut në punën e gazetarëve

Puna gazetareske është publike dhe gazetarët e GazetaOpinion.com  duhet të punojnë në përputhje me këtë rregull dhe të refuzojnë ne mënyrë kategorike çdo përpjekje nga çdo institucion apo individ që të kufizojë afrimin e publikut në punën gazetareske, apo përpjekjet për ta shfrytëzuar atë për interesa të caktuara, që nuk janë në përputhje me parimet e lirisë dhe të pavarësisë së profesionit të gazetarit. Ruajtja e fshehtësisë së burimeve, që rekomandohet nga Këshilli i Evropës, duhet të respektohet, me përjashtim të rasteve, kur rrezikohet jeta dhe siguria e individëve (rastet e paralajmërimit për vendosjen e bombave apo shpërthimi i zjarrit, rrembimi apo kërcënimet e ngjashme, por jo edhe rastet e bazuara në ndjenjat subjektive të ndonjë individi, apo kur ajo përdoret si një arsyetim për të shmangur gazetarët), apo në rastet kur redaktorët dhe gazetarët duke mos publikuar burimet e informacionit do të fshihnin aktet kriminale të individëve, grupeve dhe organizatave.

1.7 Pavarësia

Gazetarët, në punën e tyre, duhet domosdoshmërisht të mbështeteten në parimet e autonomisë dhe të pavarësisë së lajmeve të medias tonë,  bazuar në politikën programore të GazetaOpinion.com. Ata në asnjë rast nuk duhet të krijojnë përshtypjet e tyre në  bazë të paragjykimit apo të lejojnë shtrembërimin e integritetit të tyre profesional. Madje, edhe në rastet kur prodhimi i lajmeve të mbështetet nga investitorë të pavarur (buxheti i shtetit, sponsorët, etj.), media duhet të vazhdojë politikën e vet të pavarur redaktuese gjatë përgatitjes së këtyre programeve. Programet gjithashtu u nënshtrohen standardeve profesionale dhe etikës, siç janë paraqitur në këtë dokument.

1.8 Drejtësia

Gazetarët dhe redaktorët e GazetaOpinion.com, gjatë raportimit duhet të respektojnë integritetin personal të individëve dhe të drejtat e tyre për intimitet. Personave që sulmohen dhe kritikohen ashpër në lajmet e medias, u duhet dhënë rasti për t’u përgjigjur sa më shpejt që është e  mundur. Kundërpërgjigjja duhet të emetohet në të njëjtin emision dhe  në të njëjtin term kohor kur është bërë kritika; koha e dedikuar për të kritikuarin për t’iu kundërvënë kritikave duhet të jetë e njëjtë me kohëzgjatjen e kritikës së mëparshme. Kundërpërgjigjet që i tejkalojnë këto rregulla mund të refuzohen nga kryeredaktori i programit.

Asnjë lajm apo përmbajtje programore nuk konsiderohet e drejtë, nëse:

a) nuk i përmban të gjitha faktet e rëndësishme,

b) përmban fakte të parëndësishme dhe i shpërfill ato më të rëndësishmet,

c) padashur apo me qëllim mashtron shikuesit dhe dëgjuesit,

d) raportuesit përdorin shprehje ose makinacione që zbulojnë njëanshmërinë e tyre.

1.9 Gjuha

GazetaOpinion.com duhet t’i kushtojë kujdes të veçantë gjuhës.

Gjuha duhet të jetë e qartë dhe e thjeshtë, duhet të shmangë zmadhimet dhe dykuptimësinë. Prezantuesit dhe moderatorët e programit, si dhe gazetarët, (përfshirë këtu të gjithë të punësuarit e tjerë dhe punëtorët e pavarur që punojnë në realizimin e programit) janë të obliguar të përdorin gjuhën letrare shqipe, apo gjuhët e komuniteteve etnike vendore ; spikerët profesionistë dhe gazetarët duhet të përdorin gjuhën standarde gjatë leximit, si dhe gjatë moderimit të përdorin gjuhën e përditshme standarde. Përdorimi i dialekteve është i pranueshëm vetëm kur përdoret nga persona që nuk janë punëtorë të GazetaOpinion.com, ose në rastet me interes social të veçantë (siç është p.sh ruajtja e dialekteve të caktuara).

Në lajmet e GazetaOpinion.com nuk lejohet përdorimi i shprehjeve vulgare apo përdorimi i gjuhës që nuk është në përputhje me normat e mirëqenies sociale. Sidoqoftë, duhet të jemi të vetëdijshëm se pranueshmëria e shprehjeve të caktuara dhe gjuhës nga ana e publikut po ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe ka lëvizur me kohën.

Në rrethana të caktuara, disa shprehje gjuhësore janë të pranueshme, edhe pse në rrethana të tjera, ato mund të shkaktojnë pakënaqësi. Megjithatë, ato duhet t’i kontribuojnë mesazhit që përcjell programi.

Për më tepër, duhet të arsyetohet se shmangia e këtyre shprehjeve do të mund të ndikonte negativisht në plotësinë e raportimin e lajmit.