Kosovë: Masa të rrepta kundër lëvizjes në rrugë, por jo gjendje e jashtëzakonshme

Nga 15 prilli, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të lëvizin vetëm për një orë e gjysmë në ditë, përpjekje kjo e qeverisë në detyrë kundër përhapjes së Covid-19. Reagimet e partive të tjera janë të ashpra.

Në Kosovë nga e mërkura (15.04) hyjnë në fuqi masat e rrepta të lëvizjes së qytetarëve në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit që në ditët e fundit shënoi rritje. Numri i të infektuarve me Covid-19 ka arritur në 387 vetë, me 8 të vdekur që kishin edhe sëmundje shoqëruese dhe 56 të shëruar. Masat e reja që parashohin lëvizjen e kufizuar të qytetarëve i bëri publike ministri në detyrë i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media.

Nga data 15 prill, qytetarët kanë të drejtë të lëvizin në rrugë vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë. “Që nga data 15 prill në ora 06:00 ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive, përveç për furnizim me ushqim dhe barna, si dhe për detyrat e nevojat financiare per 1 orë e gjysmë në ditë. Personave të moshuar u rekomandohet të mos dalin fare nga shtëpitë përveç në raste urgjente. Qytetarët e Kosovës janë të obliguar që kur dalin në rrugë të mbajnë maska ose mbulesa tjera për pjesën e gojës dhe hundës. Kur dalin në rrugë, personave fizikë nuk u lejohet shoqërim nga asnjë person, përveç në dy raste, personave me aftësi të kufizuara dhe personave nën 16 vjeç”, tha ministri Arben Vitija. Ai paralajmëroi se mosrespektimi i masave të këtij vendimi konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro gjobë për personat fizikë dhe 3 mijë deri 8 mijë euro për personat juridikë.

Reagime të ashpra politike

Ndalimi i qarkullimit të njerëzve si masë e nxjerrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, vendim ky i nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë, po cilësohet antikushtetues nga partitë politike parlamentare, të cilat reaguan ashpër. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i bëri thirrje qeverisë në detyrë që ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet në vend.

“Kushtetuta e vendit të mbrohet nga cënuesit e saj. Qeveria e shkarkuar është cënuesi kryesor i saj. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese kjo qeveri është recidiviste në shkelje. Vendimi për këtë kufizim nuk ështe një vendim që i përket specifikave të vendit tonë. Ky vendim e bën të pamundur zbatimin e tij nga institucionet. Qytetarit i është shkelur e drejta në bazë të specifikave dhe i është pamundësuar të kryej detyrat bazike në kohën e caktuar prej 1 orë e 30 minuta. E ftojmë qeverinë e shkarkuar ta respektoj Kushtetutën dhe t’i zbatojë ligjet në vend”, tha në reagimin e tij Ramush Haradinaj.

Edhe kreu u Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, tha se nga “qeveria në detyrë është pritur të segmentojë zonat e krizës dhe të rregullojë lëvizjen e qytetarëve në ato pjesë, sepse të gjithë jemi të interesuar ta mposhtim pandeminë e jo të kamuflojë gjendje të jashtëzakonshme në tërë tërritorin përmes Ministrit të Shëndetësisë”.

“Vendimet që Kryeministri në detyrë na i lexoi mbrëmë në “natën historike” përmes gojës së Ministrit të Shëndetësisë, janë shqetësuese. Ato kapërcejnë çdo kufi të një shteti demokratik. Sipas këtyre vendimeve, qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë me të drejta të garantuara kushtetuese. Qeveria në detyrë nuk është qeveri e një shteti parlamentar. Ajo nuk po e respekton Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministritë e caktuara janë bërë vet ligji”, shkroi Isa Mustafa në reagimin e tij. Mustafa tha, se “pako e vetme e arsyeshme është që të shkojë kjo qeveri dhe logjikë qeverisëse një ditë e më parë, të krijohet qeveri e re e cila së bashku me Kuvendin do të nxjerrë masat e domosdoshme për ta kapërcyer këtë gjendje”.

LDK që ishte në koalicion me Vetëvendosjen e udhëhequr nga Albin Kurti, në fund të muajit mars inicoi mocion mosbesimi ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Më 25 mars parlamenti i Kosovës me 82 vota e rrëzoi qeverinë Kurti, e cila në këtë fazë po vazhdon punën si qeveri në detyrë. Tash Lidhja Demokratike e Kosovës po synon krijimin e një koalicioni të ri, në rast se i kërkohet nga Presidenti të formojë një shumicë të re parlamentare dhe qeverinë e re të Kosovës.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, në një mbledhje të mbajtur me datë (14.04) u pajtua siç thuhet në një komunikatë të nënshkruar nga Isa Mustafa se “për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë”. “Si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Dy partitë AAK dhe Nisma Social Demokrate më herët janë shprehur të gatshme që t’i bashkohen LDK-së, në rast se i kërkohet formimi i qeverisë së re të Kosovës. E nga ana tjetër, Presidenti Hashim Thaçi tashmë dy herë i ka kërkuar partisë që doli e para në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2019, Vetëvendosjes që ta mandatojë kandidatin e ri për kryeministër. Por lideri i saj Albin Kurti, akoma nuk i është përgjigjur presidentit në këtë pikë, ndërkaq, vazhdon të kërkojë që pas pandemisë, të mbahen zgjedhje të reja.

 

1 thought on “Kosovë: Masa të rrepta kundër lëvizjes në rrugë, por jo gjendje e jashtëzakonshme

  1. Taxi moto line
    128 Rue la Boétie
    75008 Paris
    +33 6 51 612 712  

    Taxi moto paris

    Its like you read my mind! You seem to know so much about this, like you wrote
    the book in it or something. I think that you can do with some pics to drive the message home a little bit, but
    instead of that, this is fantastic blog. A fantastic read.
    I’ll certainly be back.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *